Selim Brahja (Hoxha i Saukut) u vra nga çeta terroriste e Pezës në pragun e xhamisë
Vrasja e Hoxhës së Saukut, patriotit dhe imamit të përkushtuar Selim Brahja. Me terror dhe me gjak do ta merrnin dhe do ta mbanin pushtet...
https://enes7.blogspot.com/2014/05/selim-brahja-hoxha-i-saukut-u-vra-nga.html
Vrasja e Hoxhës së Saukut, patriotit dhe imamit të përkushtuar Selim
Brahja. Me terror dhe me gjak do ta merrnin dhe do ta mbanin pushtetin, sepse
vetëm kështu mund të ngrihej dhe të funksiononte diktatura më e pashembullt e
më e përgjakshme në gjithë vendet e Lindjes komuniste, diktatura e E. Hoxhës.
Vrasja e parë politike ishte ajo e klerikut të shquar tiranas, Selim Brahja, më
31 gusht 1943, dita e parë e Ramazanit, nuk ishte tharë ende boja e
Marrëveshjes kombëtare të Mukjes. Pas prishjes së saj nga PKSH nën trysninë e
PKJ, nisi lufta civile e provokuar nga sllavo-komunistët. Selim Brahja është
një nga viktimat e saj. E vranë përpara derës së shtëpisë së Zotit, në pragun e
Xhamisë. Shtatë vetë të njësitit ndëshkimor të grupit të Pezës, me shalle të
kuq në kokë e qëlluan disa herë dhe u zhdukën për t’u shpëtuar pushkëve të
shtëpisë së Selim Brahjes. Kjo vrasje shënon edhe fillesën e terrorit komunist
në Tiranë. Përse e vranë këtë njeri që ia kishte kushtuar jetën Zotit dhe
Shqipërisë? Ai vinte nga një familje atdhetare. I ati, Ramazan Brahja,
pjesëmarrës në ngritjen e flamurit më 26 nëntor 1912 në Tiranë. Selim Brahja,
intelektual, i lauruar për teologji në Stamboll, iu përkushtua fesë dhe
shqiptarizmit. Ai hap shkollën e parë shqipe në Sauk. Gjatë okupacionit italian
ai u dënua me burg nga fashistët ngaqë në shtëpinë e tij priste edhe
nacionalistë, edhe partizanë që luftonin për lirinë. Ai mori pjesë në Kuvendin
e Mukjes bashkë me Ismail Agë Petrelën, Dr. Nroqin e të tjerë nacionalistë
tiranas. Prandaj e vranë njerëzit me yll e shami të kuqe në kokë.