Numri i të rinjve por edhe i femrave që kanë probleme me alkoolin po vjen në rritje.

Numri i të rinjve por edhe i femrave që kanë probleme me alkoolin po vjen në rritje. Sipas të dhënave të repartit të Toksikologjisë në Q...



Numri i të rinjve por edhe i femrave që kanë probleme me alkoolin po vjen në rritje. Sipas të dhënave të repartit të Toksikologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, çdo ditë paraqiten 10 persona të alkoolizuar, ku një numër i madh i tyre janë adoleshentë. Ky numër, në ditë festash dhe sidomos gjatë fundjavës, kur të rinjtë dalin për jetë nate, dyfishohet. Sipas shefit të shërbimit të Toksikologjisë, Zihni Sulaj, të rinjtë nën moshën 30 vjeç përbëjnë gati 30 për qind të rasteve që shtrohen, sepse kanë probleme madhore të varësisë ndaj alkoolit. Kjo sëmundje, siç e quan Dr. Sulaj, është një plagë e dyfishtë për shoqërinë, pasi veç problemeve shëndetësore shkakton edhe probleme të shumta sociale. “Jemi përpara një problemi mjaft serioz. Është shumë alarmante të shikosh të rinj të moshës 14-15 vjeçare që vijnë të dehur e të intoksikuar në Urgjencë. Ne kemi statistikat tona, rreth 30-40% e aktivitetit të punës sonë lidhet me pacientë me probleme me alkoolin. Nuk ka ditë që të mos vijnë në Urgjencë 8-10 ose edhe më shumë persona të alkoolizuar. Situata bëhet edhe më e mprehtë në ditë të caktuara festash, apo gjatë fundjavave të pushimit. Numri ndonjëherë shkon edhe në 20 apo 30 vetë, ka pasur raste që kanë ardhur edhe grupe të tëra individësh, që vijnë të dehur, të intoksikuar. Të rinj të varur, për fat të keq, ka plot. Mosha nën 30 vjeç e tyre zënë rreth 30% të të gjitha rasteve, që shtrohen këtu me probleme madhore të varësisë ndaj alkoolit. Duhet me çdo kusht të kemi një program kombëtar të ndërhyrjes, për edukimin, parandalimin primar, por edhe trajtimin e kurimin”, – ka deklaruar Prof. Dr. Zihni Sulaj, shef i Toksikologjisë. Problemet Një problem i madh i abuzimit me alkoolin i shkon familjes. Specialistët sqarojnë se problemet me alkoolin çojnë në trauma familjare dhe sidomos në dhunë verbale e fizike tek fëmijët. Në rritje ky fenomen është edhe te femrat, pasi rezulton se 8% e pacientëve janë femra. Sipas të dhënave, 65% e pacientëve kanë shfaqur dhunë fizike dhe verbale, 20% e tyre kanë shfaqur dhunë edhe ndaj minorëve, si dhe kanë një efiçencë të ulët për punë. Veç problemeve me alkoolin, specialistët shprehen se 70% e këtyre pacientëve kanë edhe patologji shoqëruese psikiatrike si: çrregullime humori në 75% të rasteve, çrregullime depresive të mëdha rreth 28% e tyre. Por edhe me çrregullime si ankthi, nga i cili vuajnë 66% e pacientëve të trajtuar, apo me atak paniku, nga i cili vuanin 24 për qind e pacientëve që kanë varësi ndaj alkoolit. Kategoria që ka më tepër probleme varion nga mosha 33-55 vjeç, kategori kjo që sipas mjekëve duhet të jetë e shëndoshë, pasi kanë në dorë edukimin e brezit pasardhës. Një problem që ngrenë specialistët është se, edhe pasi marrin trajtim për detoksifikim një pjesë e madhe e pacientëve rikthehen sërish te varësia ndaj pijeve alkoolike. Nga të dhënat e Klinikës Alkoologjike, 46% e ish-pacientëve janë rikthyer sërish te varësia ndaj alkoolit, por vetëm 10% e tyre janë ritrajtuar përsëri.

Related

Lajme 3822905967556280289

Post a Comment

emo-but-icon

item