Kredia, gjykata ngrin pronat e Leka Zogut II

Gazeta “Panorama” shkruan sot se Leka Zogu II, i njohur si princi Leka, ka humbur gjyqin kundër një banke të nivelit të dytë ku ai ka mar...


Gazeta “Panorama” shkruan sot se Leka Zogu II, i njohur si princi Leka, ka humbur gjyqin kundër një banke të nivelit të dytë ku ai ka marrë një kredi prej 518 mijë eurosh. Palë tjetër kundërshtare e Zogut në këtë proces ishte edhe një shoqëri përmbarimore, e cila kishte lëshuar ndaj tij një urdhër për sekuestro konservative, “ngrirje”, të katër pronave të paluajtshme të tij në kryeqytet. Urdhri për “ngrirjen” e pronave të familjes mbretërore, që daton më 6 dhjetor 2013, është lëshuar për shkak të mosshlyerjes së kësteve të kredisë nga ana e Leka II Zogut. Në vendimin e saj gjykata rrëzoi pretendimet e Zogut, i cili kërkonte kundërshtimin e këtij urdhri. Sipas të dhënave, kredia prej 518 mijë eurosh është marrë në vitin 2009. Për shkak të mospagesave të kësteve të saj, në vitin 2012 Gjykata e Tiranës lëshoi urdhër për ekzekutimin e saj. Garanci për këtë kredi nga ana e Zogut ishte lënë një pasuri në bregdet në pronësi të K. K., 180 mijë metra katrorë truall, në Poro, Vlorë. Por, në zbatim të një vendimi të Këshillit të Ministrave të vitit 2004, kjo sipërfaqe përfshihej në një rezervat natyror të mbrojtur nga shteti dhe nuk mund të tjetërsohej. Në këto kushte, në dhjetor të vitit të kaluar, shoqëria përmbarimore ka urdhëruar vendosjen e sekuestros në katër pasuri të tjera. Ky ka qenë edhe urdhri i kundërshtuar në gjykatë nga ana e Zogut. Palë të paditura në proces ishin shoqëria përmbarimore dhe banka e nivelit të dytë. VENDIMI Vendimi gjyqësor që rrëzoi pretendimet e princ Lekës u shpall më 31 mars 2014 në Gjykatën e Tiranës nga gjyqtarja Brunilda Kadi. Kërkesë-padia e rrëzuar kishte si objekt “Kundërshtimi i veprimeve përmbarimore të palës së paditur, shoqëria përmbarimore të përshkruara në urdhrin ‘Për vendosjen e sekuestros konservative’, me nr. 11430, datë 06.12.2013″. Sipas vendimit të gjykatës, kërkesa e Zogut ishte e pabazuar në ligj dhe si e tillë duhet të rrëzohej. “Në këtë gjykim rezultoi e provuar nga provat dhe vetë pohimet e palës paditëse (Zogu) se është ai që ka marrë një kredi nga pala e paditur dhe nuk e ka shlyer atë, duke shkelur çdo detyrim kontraktual dhe ligjor ndaj kësaj pale të paditur”, thuhej në vendimin e gjykatës. Sipas gjykatës, për sa kohë përmbaruesi ka një titull ekzekutiv të vlefshëm për të ekzekutuar, ka të drejtën dhe detyrimin të kryejë të gjitha veprimet që i përcakton ligji për të bërë të mundur ekzekutimin e tij.

Related

Lajme 7596863808153918891

Post a Comment

emo-but-icon

item