Forma e namazit të Pejgamberit (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!)

83. Transmetohet nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “Kur i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) merrte tekbir për namaz, ai qëndronte për pak kohë në heshtje para se të lexonte. Unë i thashë: O i Dërguari i Allahut! Për Zotin! Çfarë thua kur qëndron në heshtje ndërmjet tekbirit (fillestar) dhe leximit? –Them: “O Zoti im! Largo ndërmjet meje dhe gabimeve të mia ashtu si ke larguar ndërmjet lindjes dhe perëndimit! O Zot! Më pastro nga gabimet (gjynahet) ashtu siç pastrohet rrobja e bardhë nga papastërtitë! O Zot! Më la nga gabimet me ujë, borë e breshër!”[1]

84. Transmetohet nga Aisha (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ajo ka thënë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e hapte namazin me tekbir (duke thënë “Allahu ekber”) dhe leximin me suren “El hamdu lilahi rabil alemin”. Kur bënte rukunë, ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) nuk e ulte shumë kokën dhe as nuk e mbante të ngritur atë, por në mes këtyre. Kur ngrinte kokën nga rukuja, ai nuk binte në sexhde pa u drejtuar mirë në këmbë. Kur ngrinte kokën nga sexhdja, ai nuk e bënte sexhden tjetër pa zënë vend mirë ulur. Pas çdo dy rekatesh, ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) thoshte “Et tehijatin”, në të cilin ai shtrinte këmbën e majtë dhe e mbante të ngritur të djathtën. Ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ndalonte nga të ulurit e djallit (me të dyja këmbët të shtrira mbi kurrizin e tyre dhe me të ndenjurat në tokë mes këmbëve) dhe nga shtrirja e parakrahëve ashtu si i shtrijnë egërsirat (duke mbështetur bërrylat në tokë gjatë sexhdes). Dhe e mbyllte namazin me selam.”[2]

85. Transmetohet nga Abdullah ibën Umer (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i ngrinte duart në lartësinë e supeve dhe pranë tyre kur hapte namazin, kur merrte tekbir për në ruku dhe kur ngrihej nga rukuja i ngrinte duart gjithashtu, dhe thoshte: “Semiallahu limen hamdeh, rabena ue lekel hamdu”. Ndërsa në sexhde nuk e bënte këtë gjë.”[3]

86. Transmetohet nga Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) se ka thënë: i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Jam urdhëruar të bëj sexhde mbi shtatë eshtra: mbi ball –dhe bëri shenjë me dora nga hunda e tij-, mbi dy duart, dy gjunjtë dhe majat e gishtave të këmbëve.”[4]

87. Transmetohet nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “Kur i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ngrihej për t’u falur, ai merrte tekbir në fillim kur qëndronte në këmbë, pastaj merte tekbir kur binte në ruku. Pastaj thoshte “Semiallahu limen hamideh” kur ngrinte kurrizin nga rukuja, pastaj thishte duke qenë në këmbë: “Rabena ue lekel hamd”. Pastaj merrte tekbir kur binte në sexhde, kur ngrihej prej saj, kur bënte sexhden e dytë dhe kur ngrihej prej saj. Pastaj vepronte kështu në të gjithë namazin e tij deri sat a kryente atë. Po kështu, ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) merrte tekbir kur ngrihej pas uljes së dy rekateve të parë (për në të tretin).”[5]

88. Transmetohet nga Mutarif ibën Abdullah se ka thënë: “Unë dhe Imran ibën Husajn u falëm pas Ali ibën Ebi Talib. Kur bënte sexhden, ai merrte tekbir, kur ngrinte kokën nga sexhdja merrte tekbir dhe kur ngrihej pas dy rekateve të para (për në të tretin) merrte tekbir. Kur e kreu namazin, Imran ibën Husajni më mori për dore dhe tha: Ky më kujtoi namazin e të Muhamedit (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) –apo tha: Ky fali me ne namazin e Muhamedit (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!).”[6]

89. Transmetohet nga el Bera ibën Azib (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “Hidhja sytë në namazin e Muhamedit (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) kur isha duke u falur me të. Pashë që qëndrimi i tij në këmbë, rukuja, të drejtuarit pas rukusë, sexhdja, qëndrimi ulur mes dy sexhdeve, sexhdja e dytë, qëndrimi ulur ndërmjet selamit dhe të largimit; të gjitha këto ishin thuajse njësoj (për nga gjatësia).”[7]
Ndërsa në transmetimin e Buhariut thuhet: “Me përjashtim të qëndrimit në këmbë (gjatë leximit) dhe qëndrimit ulur (në et tehijat), të tjerat ishin thuajse njësoj (për nga gjatësia).”

90. Transmetohet nga Thabit el Bunani; nga Enes ibën Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ai ka thënë: “Unë nuk ngurroj të falem me ju ashtu siç falej i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) me ne.” –Thabit thotë: “Enesi vepronte diçka që nuk iu shoh t’a bëni; kur ai ngrinte kokën nga rukuja, qendronte në këmbë, saqë dikush thoshte: Do të ketë harruar. Kur ngriti kokën nga sexhdja, qëndroi ulur aq sa dikush thoshte: Do të ketë harruar.”[8]

91. Transmetohet nga Enes ibën Malik (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ai ka thënë: “Nuk jam falur kurrë pas ndonjë imami me namaz më të lehtë e më të plotë se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!).”[9]

92. Transmetohet nga Ebu Kilabe –Abdullah ibën Zejd el Xhermi el Basri- se ka thënë: “Malik ibën el Huvejrith erdhi tek kjo xhamia jonë dhe tha: Unë po falem me ju (imam), dhe nuk kam për qëllim namazin, por për t’u falur ashtu siç kam parë të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) të falet. –I thashë Ebu Kilabes: Si falej ai (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!)? –Ai tha: Si namazi i këtij shejhut tonë. Ai qëndronte pak ulur kur ngrinte kokën nga sexhdja (e dytë) dhe para se të ngrihej në rekatin tjetër.”[10]

93. Transmetohet nga Abdullah ibën Maliku –ibën Buhajne- (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se: “Kur i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) falej (dhe bënte sexhden), ai i hapte krahët saqë i dukej e bardha e sqetullave.”[11]

94. Transmetohet nga Ebu Mesleme Seid ibën Jezid se ai ka thënë: “Pyeta Enes ibën Malikun: A falej i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) me sandale? –”Po”, -tha ai.”[12]

95. Transmetohet nga Ebu Katade el Ensari (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) falej duke mbajtur Umamen, vajzën e Zejnebes, bijës së të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe të Ebi el As ibën er Rabij ibën Abdushems. Kur bënte sexhde, e vendoste në tokë dhe kur ngrihej, e merrte në krahë.”[13]

96. Transmetohet nga Enes ibën Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe Bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Drejtohuni (qëndroni në formë të rregullt) në sexhde dhe askush prej jush të mos i shtrijë parakrahët e tij ashtu si bën qeni.”[14]



[1] E transmeton Buhariu (744), Muslimi (598), etj.
[2] E transmeton Muslimi (498), etj.
[3] E transmeton Buhariu (735), Muslimi (390), etj.
[4] E transmeton Buhariu (809), Muslimi (490), etj.
[5] E transmeton Buhariu (789), Muslimi (392), etj.
[6] E transmeton Buhariu (786), Muslimi (393), etj.
[7] E transmeton Buhariu (792) dhe Muslimi (471).
[8] E transmeton Buhariu (800), Muslimi (472), etj.
[9] E transmeton Buhariu (708), Muslimi (469), etj.
[10] E transmeton Buhariu (677), Muslimi (391), etj.
[11] E transmeton Buhariu (390), Muslimi (495), etj.
[12] E transmeton Buhariu (386), Muslimi (555), etj.
[13] E transmeton Buhariu (516), Muslimi (543), etj.
[14] E transmeton Buhariu (722), Muslimi (493), etj.