Sekreti i jetës.
A e do familjen tënde? A e do gruan/burrin tënd? A i do fëmijët? A ua shpreh dashurinë që ke për ta? Të gjithë ne i duam familjarët, por ...
https://enes7.blogspot.com/2014/04/sekreti-i-jetes.html
A e do familjen tënde? A e do gruan/burrin tënd? A i do fëmijët? A ua shpreh dashurinë që ke për ta? Të gjithë ne i duam familjarët, por jo të gjithë ua shprehim dashurinë që kemi për ta. Ka njerëz të cilët duken shumë të ashpër, ndërkohë që në zemër janë shumë emocionalë dhe të dashur, problemi i tyre është se nuk dinë si ta shprehin dashurinë. Ai ishte shumë i ashpër në komunikim, edhe pse në zemër kishte shumë dashuri. Ai nuk dinte si tu thotë një fjalë të ëmbël fëmijëve të tij, nuk i kishte puthur asnjëherë, nuk u buzëqeshte kurrë, ishte shumë i ngurtë dhe i thatë në biseda. Kjo i kishte hapur shumë probleme me fëmijët, të cilët edhe ata e kishin bojkotuar emocionalisht. Ai ankohej se fëmijët nuk e donin, ndërkohë që ishte vetë ai që nuk i kishte mësuar ta duan. Problematika vetëm sa vinte e thellohej. Një ditë vajti tek një miku i tij psikolog të cilit ia qau hallin. Miku i tij nuk i kërkoi ti bëjë terapitë e zakonshme, por i bëri një terapi të rrallë. Ai i kërkoi të shtrihej mbi krevat dhe pasi u shtri i tha:”Mbylli sytë dhe imagjino sikur je në çastet e fundit të jetës! Të gjithë familjarët të presin për tu përshëndetur për herë të fundit me ty. Edhe ti dëshiron ti takosh dhe tu thuash lamtumirë. Dua që të takosh secilin prej tyre, ti thuash ato gjëra që nuk ke mundur kurrë t’ia thuash!” Ai i mbylli sytë dhe filloi ti takojë me imagjinatën e tij të gjithë fëmijët dhe të shoqen. “Biri im i dashur! Ti nuk e imagjinon dot sa shumë të dua. Ke qenë dhe je kënaqësia e syve të mia. Gjithçka që kam bërë, e kam bërë që ti të kënaqesh...” Sa më shumë që fliste, aq më shumë zhytej në imagjinatën e tij, i dukej sikur realisht po vdiste dhe po ndahej një herë e përgjithmonë me njerëzit e tij më të afërt. I shprehu të gjitha emocionet dhe ndjenjat e tij të brendshme, të varrosura kushedi ku në zemrën e tij. Teksa u fliste familjarëve të tij, filloi të qajë me dënesë, lotët i rridhnin mbi faqe, ngashërimet nuk ndaleshin. Sa më shumë fliste dhe qante, aq më shumë i zbutej zemra. Pasi i tha ç’kishte për të thënë dhe u bë gati të dalë, miku i tij psikolog i tha:”Ti dhurosh një trëndafil një njeriu të afërt sa është gjallë, është më e vlefshme sesa ti vendosësh një dyqan lule tek varri. Shko dhe dhurojë lule njerëzve të tu sa janë ata gjallë dhe sa je ti vetë gjallë!” Mos i varrosni emocionet tuaj, por i shprehni ato, u thoni njerëzve tuaj të dashur se i doni, si i keni për zemër, i përqafoni, u dhuroni buzëqeshje... E ke të vështirë? E di, por nuk kërkon shumë mund, thjesht kërkon të ushtrohesh. Shko tek yt bir apo bijë, përqafoje dhe i thuaj:”Të kam shumë xhan, të dua fort!” u thoni njerëzve tuaj sa shumë i doni, sa i respektoni dhe i vlerësoni. Si është e mundur që të mos i kesh thënë as dhe një herë fëmijës tënd sa e do, sa i shtrenjtë është për ty?! Si është e mundur që nuk e përkëdhel dhe nuk e përqafon tët bir, apo tët bijë! Nëse fëmijëve tu nuk u fal dashuri në shtëpi, do e kërkojnë atë jashtë shtëpisë.