Mos vdis pa të ardhur vdekja.
Jetojmë në kohë të vështira dhe prej secilit prej nesh kërkohet që të përveshë krahët. Ndoshta ditët që do të pasojnë do të jenë akoma më...
https://enes7.blogspot.com/2014/04/mos-vdis-pa-te-ardhur-vdekja.html
Jetojmë në kohë të vështira dhe prej secilit prej nesh kërkohet që të përveshë krahët. Ndoshta ditët që do të pasojnë do të jenë akoma më të vështira, prandaj dhe lipset që të përgatitemi. Po, të përgatitemi me arsim, shkollim, kurse, gjuhë të huaja, zanate të reja, mësim programesh të reja... Është e vërtetë që rizku është në dorën e Zotit, por prej nesh kërkohet të lëvizim, ta kërkojmë, të derdhim djersë. Rizku nuk u jepet dembelëve dhe atyre që kërkojnë rehatllëkun. Mos prit që qeveria të bëjë diçka, por bëj ti diçka për veten në radhë të parë. Nëse do të radhiteshin të gjithë të diplomuarit e vendit tonë që nuk kanë një punë, veç Zoti e di sa e gjatë do të ishte radha. Prandaj lëviz që të jetosh, mëso diçka të re që të mos vdesësh para kohe. Ai ishte i moshuar, mbi shtatëdhjetë vjeç, i kërrusur nga puna dhe vitet që mbante mbi supe. Edhe pse në Angli bën shumë ftohtë dimrin, ai dilte çdo ditë dhe shkonte në një kurs për historinë e artit në Evropë. Edhe pse pas pak vitesh ai vetë do të ishte pjesë e historisë, e shihje të marrë pjesë çdo ditë në leksionet që jepeshin. Me vete mbante bllokun e shënimeve dhe stilolapsin. Pasi kthehej në shtëpi, shënimet e marra i hidhte në një bllok tjetër dhe i sistemonte. Në klasë bënte shumë pyetje. Duke parë këmbënguljen dhe pasionin e tij për dijet, dikush e pyeti:”Përse je kaq i dhënë pas të mësuarit, aq më tepër që je në këtë moshë?!” I moshuari iu përgjigj duke e lënë me gojën të hapur:”Sepse dua të mos vdes akoma pa më ardhur vdekja.” Për fat të keq ka të rinj njëzet vjeçar, të cilëve u është plakur shpirti dhe zemra, nuk duan të punojnë, nuk duan të lëvizin, nuk duan të lodhen, nuk duan të mësojnë, janë shndërruar në një barrë të rëndë për familjet. Kur një bime i thahet një gjethe apo një filiz, mu pranë saj nxjerr kokë një tjetër, duke u ripërtërirë sërish. Ripërtërije jetën tënde vëlla dhe motër e nderuar! Mos vdis pa të ardhur vdekja, por jeto me dije, jeto me punë, jeto me arsim, jeto me përpjekje!