Zbardhet letra e Ilia Karelit
Prokuroria e Fierit nisi hetimet për vrasje për rastin e Ilia Karelit, shqiptarit që u gjet i vdekur në burgun e Nigritas. Trupi i viktim...
https://enes7.blogspot.com/2014/03/zbardhet-letra-e-ilia-karelit.html
Prokuroria e Fierit nisi hetimet për vrasje për rastin e Ilia Karelit, shqiptarit që u gjet i vdekur në burgun e Nigritas. Trupi i viktimës i`u nënshtrua një ekspertize mjeko – ligjore pas mbërritjes në Shqipëri, ndërsa prokuroria thotë se ekspertiza e palës greke nuk është e plotë. Vetë Ilia Kareli, emri i vërtetë i të cilit ishte Kudret Kume, ka lënë një leter, në të cilën shpjegon arsyet se përse ai e vrau gardianin e burgut të Malandrinos.
Letra: Po më mbani kot në burg për kaq kohë. Nuk kam vrarë njeri dhe jam dënuar vite të tëra vetëm për disa vjedhje. Pse nuk më latë të shkoj në shtëpi dhe ta gjej të gjallë nënën time? Pse nuk më latë të bëj dhe unë një familje? Jam në burg që në vitin 1997 dhe ju nuk jeni ngopur me vitet e mia të burgut. Kam shlyer burgimet e përjetshme dhe 4 vite me punë të detyrueshme. Me gabimin që kam bërë nuk meritoja kaq vite në burg dhe ju po vazhdoni të më mbani. Jam i detyruar të marr dhe unë jetën e njërit prej jush. Përse më morët gjithë jetën, përse, përse….përse?
Sipas gazetës Gazeta To Vima letra e Ilia Karelit është me gabime të shumta drejtshkërimore dhe e diktuar nga kushtet e një ngarkese të rënduar emocionale. Pas vrasjes së gardianit, Ilia Kareli u transferua të enjten në mbrëmje në burgun e Nigritas, ku u gjet i vdekur pak orë pasi kishte hyrë në qeli. Ekspertiza mjekoligjore doli në përfundimin se 42 vjeçari shqiptar kishte ndërruar jetë nga frakturat e shumta në pjesën e kraharorit. Ai dyshohet se është tortuar para transferimit në burgun e Nigritas. Autoritetet e këtij burgu thanë se ai kishte mbërritur i gjakosur dhe se nuk kishte pranuar mjekimin.