Nëna ka fajësuar veten për vdekjen e të birit
Bardha Nergjoni Mali i Zgarës në Librazhd, i përdorur nga Ministria e Mbrojtjes për demontimin e armëve dhe që shihej si mundësi nga ...
https://enes7.blogspot.com/2014/03/nena-ka-fajesuar-veten-per-vdekjen-e-te.html
Bardha Nergjoni
Mali i Zgarës në Librazhd, i përdorur nga Ministria e Mbrojtjes për demontimin e armëve dhe që shihej si mundësi nga banorët e zonës për të mbledhur skrap, është kthyer në një armë vdekjeprurëse, pasi shpërthimi aksidental i një granate, ka shkaktuar vrasjen e një të riu, plagosjen e vëllait dhe xhaxhait të viktimës. Paralajmërimet e bëra në vite për rrezikun e kësaj zone duket se kanë rënë në vesh të shurdhër, pasi dje kanë shkaktuar një tragjedi për familjen Dosku nga fshati Togëz i Librazhdit, ndërkohë që menjëherë pas kësaj ngjarjeje të rëndë, siç ndodh pas çdo rasti të tillë, kanë ardhur reagimet politike.
Bëhet fjalë për ngjarjen e ndodhur paraditen e djeshme, ku një 27-vjeçar ka humbur jetën, teksa grumbullonte skrap në territorin ku janë demontuar armatime. Arben Dosku, i cili kishte shkuar si çdo ditë bashkë me vëllain dhe xhaxhain e tij, ka qenë i pafat, pasi granata që ai kishte gjetur ishte e pademontuar dhe shpërthimi ka qenë fatal, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Xhaxhai i tij, Lavdim Dosku, dhe vëllai Alfredi, të cilët kanë qenë rreth 20 metra larg vendit të shpërthimit, kanë shpëtuar me disa dëmtime të lehta.
Është dashur më shumë se një orë që trupi i pajetë të mbërrijë në spitalin e Librazhdit për shkak të largësisë dhe terrenit të thyer. Para mbërritjes së viktimës kanë mbërritur prindërit e viktimës, që jetonin pak kilometra larg nga qyteti i Librazhdit, pikërisht në fshatin Togëz. Fillimisht, ata kanë marrë lajmin që djali i tyre ishte plagosur rëndë. Ndërsa prisnin me ankth mbërritjen e tij në spital, janë shprehur se nuk ishte hera e parë që dy vëllezërit kishin shkuar për të mbledhur skrap dhe nuk dinin se çfarë rreziku i kanosej, pasi atje kishte qenë zonë ushtarake e duhet të ishte e sigurt. Ndërsa dy të dëmtuarit lehtë mbërrijnë në këmbë në spital, ambulanca ka sjellë trupin e viktimës të mbledhur me një batanije dhe sipas efektivëve të policisë, ai ishte dëmtuar në masë tejet të lartë. Policët janë munduar të mbajnë larg prindërit dhe familjarët e tjerë që të mos shihej trupi i të riut.
Nëna e viktimës ka qenë ajo, e cila ka kërkuar medoemos të shohë trupin e të birit, teksa qante dhe thërriste me zë të lartë “të dërgova me duart e mia”. Nëna, mjaft e trondit është shprehur se vdekja e tij erdhi nga një predhë, ndërkohë që në çdo moment fajëson veten për këtë ngjarje të rëndë.
Ndërkohë, vëllai i viktimës, Alfredi, dhe xhaxhai i të riut tregojnë se ata kishin shkuar bashkë për të mbledhur mbetje të hekurta që në mëngjes. “Demontimi ka mbaruar që në 2010 kur ne dëgjonim shpërthimet e vazhdueshme. Kishim dëgjuar që kishte mbetje hekuri dhe dilnim herë pas here. Jo se kemi gjetur shumë, por duke qenë pa punë, ishte një mundësi për të fituar sadopak para. Nuk mendonim se do të na ndodhte kjo gjë. Po ta dinim që do të kishte edhe predha nuk do të dilnim andej. Askush nuk na kishte lajmëruar dhe është e tmerrshme se si jeta jonë është aq e pasigurt. Ne ishim në një distancë 20-25 metra, kur Arbeni na tha që kishte gjetur diçka. Kur po afroheshim, dëgjuam një shpërthim. Ciflat mbërritën deri te ne. Nuk mundëm të bënim asgjë. Është e tmerrshme. Duhet të ishte pastruar ajo zonë. Si mund të lësh predha të pashpërthyera. Çfarë shteti kemi ne”, deklaron Lavdimi, ndërsa priten veprimet e fundit për të tërhequr nga morgu trupin e pajetë të 27-vjeçarit.
Precedenti
Incidenti i djeshëm nuk është i pari që sjell pasoja të rënda me jetë njerëzish, pasi një i tillë ka ndodhur edhe gjatë demontimit të armëve dhe municioneve në këtë zonë. Bëhet fjalë për një ngjarje të ndodhur më 22 prill të vitit 2010, kur një shpërthim i një kapsolle detonatore ka shkaktuar plagosjen e tre specialistëve në poligonin ushtarak. Në atë kohë, specialisti Bledar Xhaxhaj ishte duke bërë demontimin e kapsollës të një municioni 88 milimetër, por në punë e sipër, ajo ka shpërthyer, duke shkaktuar dëmtimin e tij. Nga shpërthimi pësuan dëmtime të lehta edhe Liman Boriçi, 50 vjeç dhe Hysni Hoxhaj, 52 vjeç, të cilët ishin të specializuar për demontim.
Mali i Zgarës
Disa vite me radhë, Mali i Zgarës është përdorur për demontim të municioneve në natyrë. Ai ishte përcaktuar nga Ministria e Mbrojtjes dhe banorët e kanë ngritur disa herë shqetësimin për pasojat që i shkaktonin zhurmat dhe tronditjet nga shpërthimet. Komuna Qendër në territorin e së cilës është zhvilluar procesi i demontimit e ka përcjellë disa herë institucioneve shtetërore dhe detyroi në një kohë Ministrinë e Mbrojtjes të ulte sasinë e demontuar. Demontimi në malin e Zgarës mësohet se ka vazhduar deri në gusht të vitit 2012 dhe më pas kjo zonë është braktisur duke mos vendosur asnjë nivel sigurie, e duke mos lajmëruar banorët për pasojat që mund të kishin nga municione ende të pashpërthyera që gjendeshin në zonë.
Opozita akuzon Ministrinë e Mbrojtjes. Balla: Pasojë e pushtetit të kaluar
Incidenti në ish-repartin e demontimit, përplasen PD-PS
Ngjarja e djeshme ka sjellë reagimin e menjëhershëm të forcave politike, ku fillimisht ka dalë deputeti socialist i zonës, Taulant Balla, i cili edhe më parë kishte paralajmëruar rrezikshmërinë që paraqitej aty. Nga ana tjetër ka reaguar Partia Demokratike, që e ka cilësuar ngjarjen, pasojë e paaftësisë dhe papërgjegjshmërisë së Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura.
Opozita
“Ngjarja është pasojë e shmangies së ushtrisë nga misioni kushtetues dhe shndërrimi i saj në ndërmarrje pastrim-gjelbërimi. Në katër vite, ushtria demontoi 90 mijë tonë municione me përkushtim dhe përgjegjësi maksimale, duke shmangur incidente të tilla fatale. Poligonet duhet të jenë në trajtim të vazhdueshëm, derisa të mbarojë procesi final i pastrimit të tyre. Ministria e ka të përgatitur planin për pastrimin e poligoneve, plan i cili nuk është zbatuar nga Ministria e Mbrojtjes. Kjo ngjarje e rëndë vjen për shkak të paaftësisë dhe papërgjegjshmërisë në drejtimin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura”, tha Partia Demokratike.
Deputeti
Kurse deputeti socialist, Taulant Balla, e ka cilësuar këtë ngjarje pasojë të pushtetit të kaluar. “Si deputet i Librazhdit i kërkoj policisë dhe prokurorisë të fillojë një hetim të plotë për këtë ngjarje, sepse ky ka qenë një aksident që mund të parandalohej nëse ushtria do ta kishte pastruar zonën. I kërkoj gjithashtu shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë të bëjnë menjëherë pastrimin e pikave të tjera të demontimit që Arben Imami dhe shpura e tij e korruptuar në Ministrinë e Mbrojtjes ngriti kudo nëpër Shqipëri”, deklaroi Balla.
Reagimi
Shtabi i FA: Vendorët duhet të bashkëpunojnë
Pas incidentit të djeshëm ka reaguar edhe Shtabi i Forcave të Armatosura, që është shprehur se ata kanë bërë maksimumin për shmangien e ngjarjeve të tilla, ndërkohë që nuk vërejnë të njëjtin përkushtim nga pushteti lokal. “Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura u shpreh ngushëllime të thella familjarëve të Arben Doskut, i cili humbi jetën dje dhe shërim të shpejtë Lavdrim e Alfred Doskut, që mbetën të plagosur në fshatin Zgarë të Librazhdit. Forcat e Armatosura kanë bërë dhe do të vazhdojnë të bëjnë të pamundurën për të shmangur ngjarje dhe incidente të këtij lloji me pasojë humbjen e jetëve njerëzore apo dëmtimin e banorëve, por vërejnë me shqetësim se shumë pak bëhet nga pushteti lokal. FA, përmes ruajtjes, patrullimit, vëzhgimit, vendosjes së shenjave të domosdoshme dhe fushatave sensibilizuese, si dhe në bashkëpunim me pushtetin lokal përpiqen maksimalisht të shmangin këto ngjarje. Pavarësisht këtyre masave, bëjmë me dije se është i pamundur kontrolli fizik i imtësishëm dhe i vazhdueshëm i këtyre zonave të thella që dikur kanë shërbyer si poligone asgjësimi. Shtabi i Përgjithshëm i FA siguron opinionin publik se në këtë zonë nuk zhvillohet proces demilitarizimit, pasi ky proces ka përfunduar që në shtator të vitit 2012, megjithatë kujdesi duhet të jetë i vazhdueshëm”.
Ubicazione:
Tirana, Albania