Pa drejtësi nuk ka rilindje

Para më tepër se një viti pata publikuar një shkrim për maratonën e një procesi gjyqësor në Tiranë. Përpiqesha të shpjegoja arsyet e stërg...

Para më tepër se një viti pata publikuar një shkrim për maratonën e një procesi gjyqësor në Tiranë. Përpiqesha të shpjegoja arsyet e stërgjatjeve absurde të proceseve gjyqësore, në krye të të cilave qëndron, sipas meje, korrupsioni në Gjyqësor. Në atë shkrim përshkruaja se si një i njohuri im, Bushi, biznesmen ndërtues, dhe Lushi, kundërshtari i tij në proces, “merrnin” shumë kohë me vete kur kishin seanca dhe silleshin pa fund rreth gjykatësve që gjykonin çështjen e tyre, si satelitë: kush për të ofruar çfarë, secili për të blerë të drejtën e vet. Që atëherë beteja ligjore mes Bushit dhe Lushit ende vazhdon. Shkallë pas shkalle, apelim pas apelimi, gjykatës pas gjykatësi, të dy kundërshtarët e rrisin shumën e parave në zarfe që ua ofrojnë nën dorë trupave gjykues. Këta, grykës dhe të babëzitur, sillen me postet e tyre si me gratë e veta; mes zarfesh vazhdojnë t’ua rrëmbejnë “djersën” të dyja palëve në gjyq, sa Bushit, aq edhe Lushit. A thua, palët nuk i kanë fituar me djersë dhe gjak stërmundimesh gjithë jetën, por i kanë mbledhur paratë, kollaj, si të qenë gjethe në pemë. Palët, Bushi dhe Lushi, edhe mbas një viti, janë ende si në një garë makinash, kush t’u paguajë më shumë e më parë gjykatësve që janë në shortin e radhës së çështjeve të tyre. Së fundmi, gjyqi u kthye mbrapsht nga e para dhe Lushi apeloi Apelin, duke ofruar, si kumarxhinjtë e nervozuar të kazinove, dyfishin e pagesës së radhës. Fati i tij që gjykatësi i radhës po e niste vajzën për studime jashtë shtetit dhe dhurata bujare i erdhi në kohën e duhur. I pikëlluar, i shqetësuar dhe i pamësuar me avokatë, gjykatës e gjykata, i njohuri im biznesmen me emrin e ish-presidentit të Amerikës, mendoi ta shtonte edhe ai vlerën e “dhuratës” për gjykatësin, për ta përmbysur vendimin e formës së prerë, që s’ishte në fakt aq i prerë, sa kohë që gërshërët e vendimeve gjenden e ndërrohen në xhepat e mostrave shqiptare të abuzimit, që quhen gjykatës. Bushit iu desh të trokiste në një zyrë ku merreshin vendime të forta: në Gjykatën e Lartë apo kushedi ku, për të përmbysur pra vendimin që kishte përmbysur vendimin e dhënë më parë në favor të tij. Dhe gjeti një zyrë! Gjithmonë do të gjesh një zyrë të tillë në Shqipëri, mjafton të kesh një zarf me para, të mbyllur, në xhep. Dhe kjo zyrë i dha këtë përgjigje: “Sa të jetë gjykatësja K., në Gjykatën e Lartë, në zyrën dhe në rolin që ka, ky vendim nuk zhbëhet, edhe sikur pallatin të tërë ta dhurosh ku të duash. Por dhurata jote vlen, Bush! Po e mbajmë në një sirtar, që do të hapet pas tre vjetësh, kur gjykatësja K., për arsye se i mbaron mandati, nuk do të jetë më në pozicionin që ka sot. Dhe, kur ajo të mos jetë në atë pozicion, për ty do të ndryshojë ngjyra e qiellit…”. Me dhuratën zarfgrisur lënë në një sirtar, si një faj i ngujuar, njëherësh edhe si një shpresë, dhe me duart në xhepa, i njohuri im biznesmen u kthye i vrarë në shtëpi, ndërsa pas i kumbonin ende fjalët përmbyllëse të zyrës: “…nëse gjykatësja K. sëmuret apo vdes para kohe dhe para se ta mbyllë mandatin, aq më mirë!” Dhe kështu filloi e vazhdon historia e kësaj çështjeje pa fund. Gjykatësja K., militante e fshehtë e PD-së, vazhdon të jetë shëndoshë e mirë dhe të presë andej-këtej me gërshërë fatin njerëzor. Megjithëse 50-vjeçare është e shëndetshme, si shumica e veriorëve që janë rritur faqekuq mes bjeshkëve. Përdor të kuq të ndezur dhe kremra biologjikë, që ia dërgojnë me currier drejt e nga Parisi. Thuhet se ka vënë edhe silikon diku në trup, për të qenë në formë, në mjedise, biseda, në çështje drejtësie, ku performanca ka një rëndësi të veçantë. Është një gjallesë e pasur dhe e lumtur, madje së fundmi, thuhet se ka blerë edhe një vilë, vetëm se e ka në emrin e së motrës, diku në Gjirin e Lalëzit. Nuk ka fare dilema për ekzistencën e kësaj vile, por vetëm për vendndodhjen. Disa thonë se ndodhet pranë vilës së Ilir Metës, të tjerë pranë vilës së Ardit Gjebresë… Ndërkohë Bushi, i njohuri im ndërtues, është në pritje të mbarimit të mandatit të saj, kur do të hapet vonuar sirtari ku do të ringjallet dhurata e harruar, paratë e lëna peng në një zyrë për një zyrtar, për gjykatësin a gjykatësen që do të zëvendësojnë zonjën K. me silikon. Është hera e parë që ai përplaset me drejtësinë, gjyqe, gjykata dhe avokatët e vendit të tij, por kjo s’e ka penguar të shijojë lehtësinë mizore të të kuptuarit të gjërave. Mbasi ka dhënë me dorën e bardhë pará të pastra në duar të zeza gjyqtarësh, ai ka kuptuar se jeton në një vend ku drejtësia nuk jepet, as falet, thjesht blihet. Ka kuptuar gjithashtu dhe këtë tjetrën, se nuk mjafton të paguash gjykatës të korruptuar e bastardë për të fituar një çështje gjykate. Duhet edhe të durosh gjatë. Të bëhesh dru në verë dhe hekur në dimër. Të presësh të mbarojë mandati i një gjykatëseje në menopauzë apo të urosh, të shpresosh si mëkatar, vdekjen e saj natyrale. *** Ngado të kthesh kokën do të shohësh njerëz të dëshpëruar që duhet të paguajnë patjetër në çështje gjyqësore, pavarësisht nga fakti se kanë apo nuk kanë të drejtë. Ata hyjnë e dalin pa fund dyerve të gjykatave tona, ku nuk gjykohet e drejta e njerëzve, por gjykohet aftësia e tyre për të ofruar dhurata për t’i ndihmuar çështjet e veta. Tanimë kjo gjë njihet ndërkombëtarisht. Kohët e fundit kam qenë dëshmitar edhe i një përplasjeje tjetër gjyqësore mes dy ortakëve të tjerë biznesmenë, që vendosën t’i drejtohen drejtësisë për të zgjidhur problemet mes tyre. Ndarja ishte e pashmangshme dhe kështu palët iu drejtuan gjykatës. I njëjti skenar. Ortakët, të dy me zarfe nëpër xhepa, për t’ua dhënë nën dorë gjakpirësve të çështjeve; edhe ata hyjnë, dalin, vijnë vërdallë korridoreve për të gjetur ku, në ç’dorë, në ç’sirtar, në ç’babëzi duhet të japin paratë e vështira për të ndihmuar të drejtën e tyre. Nuk ka fare rëndësi kush ka të drejtë e kush jo. Rëndësi ka kush paguan më shumë. Rëndësi ka kush mund t’i afrohet më pranë gjykatësit, që është Zeusi i drejtësive në një vend të tredhur nga shpresa për drejtësi, si është Shqipëria. Rëndësi ka kush mund ta joshë. Në gjykatat shqiptare gjykatësi është pronari i së drejtës dhe profeti i drejtësisë. Ai vendos paraprakisht kush do ta fitojë çështjen. Seancat gjyqësore, avokatët, prokurorët janë aty një parodí hipokrizie banale, sepse vendimet janë të paravendosura, sepse çështjet nuk i udhëheq drejtësia, por i vulos kjo specie, kjo vemje, që kushedi ç’mallkim e ka vënë në krye të një drejtësie që mallkon, shpërdoron dhe, e përsëris, vret. Lëndon dhe vret shpirtra njerëzish të zhgënjyer që në dyert e gjykatave hyjnë jo aq për t’u gjykuar, por për ta mallkuar ata vetë drejtësinë e pështirë që u shërbehet. Në garën për ta blerë secili drejtësinë e vet, dy ortakët e dinë se fituesin e shpall GJYKATËSI me rasën e zezë që nuk përfaqëson martirizimin e krishterimit ortodoks. Kriteret e gjykimit të tij janë tjetër gjë. Kjo do të thotë se nuk janë vetëm paratë. Të gjithë njerëzit që shkojnë për të gjetur të drejtën, janë të dënuar të paguajnë. Viktima, përveçse të paguajë, duhet të shkojë më tej: t’i ofrojë gjykatësit diçka që s’munden të tjerët. Të bëjë diferencën. Nëse është femër, edhe ta joshë. Nëse është burrë, ta trazojë në delirin e madhështisë, që ofrojnë kolltukët e mallkuar autoritarë të këtij vendi deri tani të mallkuar. Kjo është drejtësia jonë. Shumica e çështjeve gjyqësore vijnë erë neveri. Kutërbojnë atë erën mbytëse të kafshëve të ngordhura në verë, kur shkon rrugës për Himarë. Pështirosje. Kjo është drejtësia që u la pas Sali Berisha shqiptarëve. Një viktimë e vetvetes. Një vrasëse e drejtësisë dhe e aspiratës së qytetarëve për t’u gjykuar të lirë. Drejtësi perverse që vret, me gjyqtarë perversë dhe një sistem anadollak, llum mes llumit. Sistemi gjyqësor në Shqipëri është një çështje urgjente e shtruar për zgjidhje. Duhet të rilindë pikë së pari drejtësia. Vetëm një drejtësi e rilindur mund t’u sjellë shqiptarëve RILINDJEN e premtuar.
/Artan Mullaj/

Related

Editorial 8686765820220867338

Post a Comment

emo-but-icon

item